Atë Michel Remery
Autori i Në Twitter me ZOTIN
I nderuari Dr Michel Remery M.Sc. (1973), është prift i Dioqezës së Roterdamit, Holandë. Ka studiuar arkitekturë në Universitetin e Teknologjisë Delft, si dhe ka punuar për Forcat Ajrore Mbretërore të Holandës dhe më vonë si inxhinier i ardhur në vendet baltike për firmën konsulente dhe inxhinierike Tebodin. Atë Michel ka studiuar edhe filozofi dhe teologji në Universitetin Papnor Gregorian në Romë dhe është shuguruar prift në 2004. Për disa vjet, ka qenë anëtar i një komiteti këshillues për mediat e reja dhe të rinjtë në zyrën e Vatikanit për çështjet e internetit. Në vitin 2008, ka mbrojtur një tezë doktorature mbi pikëprerjet mes liturgjisë dhe arkitekturës. Ka botuar libra dhe artikuj të ndryshëm rreth kësaj teme dhe është anëtar kërkimor i Shkollës për Teologjinë Katolike të Universitetit të Tilburgut.
Rinia, puna e famullisë dhe Evropa
Nga 2006 deri në 2012, Atë Michel ka shërbyer si ndihmës prift në disa famulli në Leiden, Holandë, ku punoi kryesisht me të rinj dhe studentë të universitetit. Këtu mori jetë Në Twitter me ZOTIN. Së bashku me të rinjtë ndërmori pelegrinazhe p.sh. në Romë, Tokën e Shenjtë, Krakovë, Stamboll, Surinam dhe për Ditën Botërore të Rinisë. Më pas, Atë Michel shërbeu si Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Konferencave të Ipeshkëve Evropianë (CCEE) në Shën Gallen, Zvicër. Ndër të tjera, qe dhe sekretar i Komisionit për Komunikimet Sociale dhe Komisionit për Katekezat, Shkollat dhe Universitetet.
Projektet ndërkombëtare
Më 2018 Atë Michel vazhdoi misionin e tij priftëror në Luksemburg, ku shërbeu edhe si kapelan kombëtar i të rinjve, dhe iu angazhua shërbesës së të rinjve në nivel ndërkombëtar. Që në 2023 ai ndërthur misionin e tij si drejtues i DeoQuest me punën për dioqezën e Roterdamit në Hollandë. Detyrat e tij kanë të bëjnë me mbështetjen e liderëve të rinj, promovimin e shkëmbimit të përvojave dhe ideve të reja, dhe përfshirjen në diskutime me të rinjtë në të gjithë botën, veçanërisht përmes mediave sociale. Së bashku me një ekip entuziast të rinjsh ai vazhdon të zhvillojë dhe zgjerojë nismat ndërkombëtare për DeoQuest, duke përfshirë këtu edhe Në Twitter me ZOTIN.
Atë Michel flet holandisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, luksemburgisht, spanjisht dhe ka njohuri bazë të polonishtes dhe portugalishtes.